Amanda nesër do të festonte ditëlindjen, çfarë i komentonte motrës që e goditi me thikë pas sherrit

Në pamje të parë një marrëdhënie perfekte, por ndonjëherë gjërat nuk janë ashtu siç duken.

E tillë ishte edhe marrëdhënia e dy motrave Pushani në Tiranë.

Amanda (e cila u vra me thikë paraditen e djeshme) shpesh i komentonte së motrës Marsela Pushani (autore e dyshuar e ngjarjes) në Facebook.

Në një vëzhgim në rrjetin social Facebook të Marselës shohim komentet me dashuri të së motrës, si “Cool”, disa emoji zemra apo disa puthje.

Madje ka edhe komente të tipit “Complimenti al fotografo” që nënkupton se fotografia është realizuar nga Amanda.

Edhe pse në rrjetet socialse marrëdhënia e tyre ishte perfekte, Marsela pas arrestimit ka dëshmuar në polici se kishin debate të vazhdueshme pasi sipas saj e motra kishte rreth 10 vite që konsumonte alkool.

Amanda, ditën e nesërme  më 4 shtator, do të festonte ditëlindjen.

Kur ndodhi ngjarja

Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 11:40 të datës dy shtator.

Ku ndodhi ngjarja

Amanda Pushani u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në rrugën “Hajdar Hidri”.

Çfarë thanë familjarët

Ishte nëna e viktimës ajo që telefonoi ambulancën dhe i tha se e bija nuk ndihet mirë.

Shërbimi mjekësor e gjeti të vdekur 37-vjeçaren ndera gjatë ekzaminimit u vu re që kishte një plagë poshte stomakut.

Fillimisht ngjarja u tentua të fshihej nga familjarët duke u raportuar si vdekje natyrale, por pas hetimeve të thelluara u konstatua se Amanda kishte ndërruar jetë nga goditja me thikë.

Motivi i mundshëm i ngjarjes

Mësohet se 37-vjeçarja pinte shumë alkool dhe kishte zënka të herëpashershme me motrën. Shkak i ngjarjes ka qenë një sherr për motive banale, ku motrat fillimisht kanë pasur një përleshje e cila ka degraduar në përdorimin e thikës.

Çfarë dëshmoi Marsela Pushani në polici

Marsela Pushani, 40 vjeç, ka dëshmuar se motra prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe kishin debatuar që ajo të linte alkoolin. 40-vjeçarja pretendon se motra kishte marrë thikën dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe mamanë, për këtë arsye e ka qëlluar me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Nuk kam dashur ta vras motrën, veprova në kushtet e vetëmbrojtjes. Prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike. Mëngjesin e djeshëm kemi pasur debat pasi i kërkonim që të linte alkoolin. Fillimisht Amanda mori thikën dhe më kërcënoi mua dhe mamanë se do të na vriste. Situata u tensionua dhe veprova në kushtet e vetëmbrojtjes”, ka thënë Marsela Pushani në Polici. 

Njoftimi i plotë i policisë:

Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/ 


Shtuar 3.09.2023 12:08