“Altin Dumani bën si i fortë”, KLP reagon pas deklaratave të Metës për kreun e SPAK: Dënojmë çdo intimidim ndaj prokurorëve

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi pas deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se deklarata të tilla janë përcjellë me shqetësim. Duke ofruar mbështetje të plotë për SPAK, KLP bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Reagimi:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Çfarë ka deklaruar Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ditën e djeshme akuzoi kreun e PSAK, Altin Dumani se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Meta ka vazhduar edhe sot (16 prill)  akuzat e tij në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, për të cilin thotë se është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

“Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë por ky karafil kujton se mund të bëhet vrasës i suksesshëm i pluralizmit në vend. Gjë që kërkon ta arrijë përmes McGonigalëve apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Ka parë shumë Ilir Meta si ky kushëriri i Nuredinit, ti marrë të gjithë pentitot dhe amerikanët që thotë se e mbështesin dhe do e ketë Ilir Metën këtu. Ky as në nivelin e Nuredin Dumanit nuk është’ deklaroi Meta në konferencë.

Foli dhe me tone të ashpra deri edhe kërcënuese në drejtim Dumanit kur i tha se duhet të ketë kujdes se nga do ikë nëse vazhdon me veprime mafizoe, ndërsa shtoi se PL ka 300 mijë Vojo Kushë.

“Unë njeri nuk kërcënoj. Por unë jam Ilir Meta o super budallenj, o supertarallakë, kudo ku jeni, në politikë edhe në SPAK. Ai të ketë kujdes se do të ikë se ku do të shkojë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze. Di Pietro përfundoi në hajdut tenderash në Itali. Partia e Lirisë ka 300 mijë Vojo Kusha”, tha Meta.

Akuzat e Metës janë vijim i atyre të bëra mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” kur akuzoi kreun e SPAK se është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së Kryeministrit Edi Rama dhe se nisi hetimet ndaj tij pas takimit me Mc Gonigal.

“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta./albeu.com


Shtuar 16.04.2024 19:58