Qeveria ka vendosur të ndalojë telefonatat e padëshirueshme përmes të cilave subjektet kërkojnë të shesin produkte.
Përcaktimet ligjore janë publikuar në konsultim publik ku kufizime përcaktohen edhe për mesazhet.
Edhe pse në projektligj nuk saktësohet në relacionin shoqërues parashikohen kufizime edhe në kohë të fushatës zgjedhore duke shtuar se për këto veprime ka pasur një numër të lartë ankesash.
Për këtë qëllim do të krijohet një platformë ku do të regjistrohet çdo individ që nuk dëshiron të marrë thirrje apo veprime të tjera përmes aparateve.
Pas kësaj kompanitë do ta kenë të ndaluar ta kontaktojnë për marketing apo promocione, përndryshe do të gjobiten
Një tjetër ndalesë do të jetë për oraret dhe ditët kur do të pranohen këto thirrje.
Në këtë mënyrë edhe për personat që do të lejojnë telefonatat nga call center mund të shqetësohen vetëm nga ora 9 e paradites deri në 7 të mbrëmjes.
E ndaluar do të jetë kontaktimi në fundjave dhe në ditët e festave.
Po ashtu, nisma rregullon edhe formën e komunikimit, ku në nisje do të sqarohen arsyet përse janë marrë në telefon.
Në shkelje të këtyre rregullave këto subjekte gjobiten në masën nga 500 mijë deri ën 10 milionë lekë.
Nisma pritet që të kalojë për votim në qeveri e vetëm më pas do të debatohet për miratim në parlament.