Almira Isufi quhet studiuesja shqiptare e cila kreu operacionin e parë apikal të drejtuar nga një robot në botë, duke u bërë endodontistja e parë që zbatoi këtë procedurë.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasada e SHBA në Tiranë, e cila i shpreh urimet për këtë arritje të mrekullueshme. Isufi përfundoi me sukses bursën e saj gjashtëmujore të programit Fulbright në SHBA.
(Endodoncia përfshin studimin (praktikën) e shkencave bazë dhe klinike të pulpës normale të dhëmbëve, etiologjinë , diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe dëmtimeve të pulpës dentare së bashku me gjendjet periradikulare të shoqëruara.)
“Urime pjesëmarrës sonë në programin Fulbright, studiueses Almira Isufi, e cila përfundoi me sukses bursën e saj gjashtëmujore Fulbright në endodonci në Universitetin e Bostonit.
Me mbështetjen e profesorit të saj pritës, z. Sami Chogle, Almira kreu operacionin e parë apikal të drejtuar nga një robot në botë, duke u bërë endodontistja e parë që zbatoi këtë procedurë.
Urimet tona të sinqerta për këtë arritje të mrekullueshme! Ambasada e SHBA është krenare që dërgon më të mirët dhe më të përgatiturit e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara si pjesë e programit Fulbright për të çuar më tej arsimimin e tyre, për të mësuar aftësi të reja dhe për t’i sjellë në Shqipëri!”-shkruhet në faqen e ambasadës së SHBA.