Alibeaj për hapjen e dosjeve: Simbolizmi i ndarjes me diktaturën

Deputeti Enkelejd Alibeaj nga Foltorja e Kuvendit u shpreh se do duhet të gjejë kurajo gjithsecili që nuk është i kapur dhe nuk ka skelete në dollap për sa i përket hapjes së dosjeve.

Sipas Alibeajt, e gjithë klasa politike sot duhet të jetë kokulur para të burgosurve, atyre që kanë vuajtur, por edhe atyre që kanë humbur jetën si pasojë e regjimit komunist.

“Asgjë triumfaliste nuk ka në diskutimin e kësaj çështje. Nuk do bëj asnjë falënderim, madje unë vetëm jam kokulur në arritjen nëse do të arrihet hapja e dosjeve. Klasa politike sot duhet të jetë kokë ulur 31 pas rënies së diktaturës. Duhet të jetë kokë ulur para të burgosurve dhe atyre që kanë vdekur në burgjet e komunizmit.

Secili prej nesh duhet të bëjë një gjë, të heshtë dhe të ulë kokën. Hapje e plotë e dosjeve për këdo dhe pa asnjë kusht nuk është vetëm simbolizmi i ndarjes me diktaturën, por edhe me tranzicionin.

Historia është ajo që nesër duhet të na falenderojë. Nuk bëhet vetëm hapja e dosjeve për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e sigurimit, por për të parë kush kanë qenë punëtorët, prokurorët, gjyqtarët, ekspertët dhe gardianë burgjesh që vdekjen e njerëzve të pafajshëm e kanë pasur në bukën e tyre të përditshme. Do të duhet të gjejmë kurajën për të gjetur kush nuk është i kapur dhe kush nuk ka skelete në dollap.

Në 2022 vendi i cili kërkon integrimin në Evropë do duhet ta kishte bërë të parën. Është fillimi i një procesi purifikues të kësaj shoqërie. Ne do duhet ta shohim cullak si ka qenë e shkuara e afërt e këtij vendi për të kuptuar se cilat ishin shkaqet e kësaj ngjarjeje që jemi sot. Çdo gjë që ka ndodhur në 50 vite diktaturë dhe 30 vite tranzicion. Litarë në këmbët e kësaj shoqërie dhe nuk e lë të shkojë përpara.

Asnjë lloj triumfalizmi nuk ka. Besoj se historia do të jetë ajo që do të na vlerësojë nesër. Na falni shqiptarë, ju që keni vuajtur, ju që nuk gjeni eshtrat, ju që keni hequr të zitë e ullirit nga punëtorë dhe bashkëpunëtorë të sigurimit që kaq vonë u kujtuan për ju. Ndjesë!”, tha Alibeaj.


Shtuar 20.10.2022 20:59