Albin Kurti: Vendimi i SHBA-së vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës në Mitrovicë

Kryeministri Albin Kurtim ka thënë se është i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se ky grup është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve” , tha Kurti.

Tutje theksoi se vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, u shpreh tutje.

Sipas tij krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare dhe se Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj.

“Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkroi në fund Kurti.

 


Shtuar 8.12.2021 22:10