Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vendosjes së dy GPS-ve në dy mjete në pronësi të 39-vjeçarit Eris Çekani në Pogradec.
Bëhet fjalë për shtetasin Sidni Syzo, 28 vjeç, për të cilin Çekani kishte shprehur dyshime.
Ndërkohë, 39-vjeçari është emër i njohur policinë shqiptare. Vetëm pak muaj më parë, 39-vjeçari është përfshirë në një sherr, ku të rinjtë, të cilët udhëtonin me dy makina, kanë ndjekur njëri tjetrin si nëpër filma deri në në aksin rrugor “Elbasan-Metalurgjik”.
Teksa kanë mbërritur në këtë rrugë, ata kanë përplasur dy mjetet me të cilat udhëtonin. Në këtë moment ka ndërhyrë Policia dhe në pranga ra Eris Çekani dhe Gledis Dikellari 23-vjeç, të dy banues në Pogradec, e ndërsa 3 personat e tjerë janë larguar nga vend i ngjarjes me një makinë tjetër dhe janë në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për vendosjen e 2 pajisjeve GPS, në automjetet e shtetasit E. Ç., që jepeshin me qira prej tij, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë vijuar hetimet, në bashkëpunim me Prokurorinë e Pogradecit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi S. S., 28 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë së Pogradecit.