Alarm në Itali, varka me rreth 500 emigrantë në rrezik: Dërgoni ndihmë menjëherë!

Rreth 500 emigrantë duhet të shpëtohen nga një varkë në brigjet e Siçilisë, njoftoi sot Alarm Phone, mes një rritje dramatike të mbërritjeve nga deti në Itali dhe pas një mbytjeje vdekjeprurëse anijeje.

Organizata, e cila operon një linjë telefonike emergjente për migrantët në rrezik në det, tha në Twitter se kishte informuar “autoritetet kompetente” dhe u tha atyre: “Mos humbni kohë: dërgoni ndihmë menjëherë!”

Anija u largua nga Libia dhe është në jug të Siçilisë në zonën detare të kërkimit dhe shpëtimit (SAR) të Italisë, shtoi Alarm Phone. Frontex nuk pranoi të komentojë menjëherë.

Aftësitë e Italisë në shpëtimin e emigrantëve në det u vunë në qendër të kritikave pas mbytjes së anijes së 26 shkurtit pranë rajonit të Kalabrisë në jug të vendit, ku humbën jetën të paktën 72 emigrantë.

Qeveria e krahut të djathtë të Italisë njoftoi të enjten dënime më të ashpra për kontrabandistët e emigrantëve dhe zotohet të godasë kalimet e parregullta detare duke hapur rrugët legale të migracionit.

Njoftimi nuk ndaloi flukset e parregullta të emigrantëve, me pothuajse 3,000 njerëz që erdhën në Itali që nga e mërkura, krahasuar me rreth 1,300 për të gjithë marsin e vitit të kaluar. Vetëm dje në ishullin Lampedusa kanë mbërritur 1869 emigrantë me 41 varka të ndryshme, siç raporton agjencia ANSA, duke folur për një numër rekord. /albeu.com


Shtuar 10.03.2023 14:38