Akuzë e fortë nga Myslim Murrizi: Në Shqipëri kanë ardhur plehra kimike nga Kina!

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u është përgjigjur pyetjeve të deputetit Myslim Murrizi, mes të cilave ka qenë edhe një denoncim i fortë.

Murrizi ka deklaruar në Kuvend se në Prokurorinë e Durrësit vetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganës ka kallëzuar hyrjen në Shqipëri të plehrave kimike nga Kina.

Çela tha se nuk kishte asnjë informacion lidhur me rastin, duke shtuar se edhe në të kundërt nuk do të kishte mundësi për të ndërhyrë apo për të dhënë udhëzime.

PJESË NGA BISEDA: 

Myslim Murrizi: Në Durrës është bërë një denoncim për plehra kimike të ardhura nga Shangai dhe Wuhan, kallëzim që ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës. Ka pasur edhe shkarkime. Këto plehra hidhen në arat e shqiptarëve, a keni dijeni për një kallëzim të tillë?

Olsian Çela: Për Durrësin, nuk kam informacion. Nuk kemi akses në materialet e hetimit. Por edhe në raste të tilla nuk japim dot udhëzime. Vetëm drejtuesi i rrethit mund të japë udhëzime, pasi prokurori është i pavarur.


Shtuar 14.06.2021 11:06