Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka hequr masën e pezullimit ndaj kompanisë së kateringut “Sori-Al”, duke i lejuar asaj të rifillojë veprimtarinë. Aktiviteti ishte ndërprerë pas dyshimeve për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në fund të muajit qershor.
Vendimi për zhbllokimin u mor pasi përfunduan kontrollet e nisura për përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes. Sipas AKU-së, analizat laboratorike të ushqimeve dhe verifikimet e kushteve higjienike në ambientet e kompanisë dhanë rezultate brenda kufijve të lejuar të sigurisë ushqimore.
Të lidhura
None found
Inspektimet e mëtejshme treguan gjithashtu se subjekti kishte plotësuar detyrimet ligjore dhe standardet e nevojshme për të vazhduar aktivitetin.
Edhe analizat e vetëkontrollit të kryera nga kompania për ambientet e punës, pajisjet dhe punonjësit rezultuan në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi, bëri të ditur AKU.
Në njoftimin zyrtar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se, në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut për dyshimet mbi helmimin e disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk, më 25.06.2026 mori 14 mostra nga vaktet e drekës dhe darkës në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, si edhe 5 mostra tamponësh për higjienën e ambienteve dhe pajisjeve.
Laboratori i Referencës ISUV njoftoi se analizimi i gjithsej 33 mostrave për treguesit mikrobiologjikë përfundoi me rezultate brenda normave.
Në vijim të trajtimit të çështjes në subjektin “Sori-Al”, që ushtron aktivitetin në adresën Akademia e Forcave të Armatosura, Garnizoni “Skënderbej”, kompania realizoi analiza vetëkontrolli me tamponë ambientalë për ambientet, pajisjet dhe punonjësit. Të gjitha rezultatet dolën në përputhje me kërkesat ligjore.
Pas njoftimit të subjektit për përfundimet e analizave të vetëkontrollit, më 10.07.2026 AKU zhvilloi një tjetër inspektim në Akademinë e Forcave të Armatosura, Garnizoni “Skënderbej”. Gjatë këtij kontrolli u morën sërish 3 mostra tamponësh ambientalë, të cilat u dërguan për analizim në laboratorin e ISUV-së.
Pasi edhe këto analiza konfirmuan përmbushjen e kushteve të higjienës dhe sigurisë ushqimore, së bashku me rezultatet konforme të mostrave zyrtare të marra më 25.06.2026 dhe 10.07.2026, AKU vendosi zhbllokimin e aktivitetit të “Sori-Al”. Operatorit të biznesit ushqimor i lejohet tashmë të vijojë gatimin e ushqimeve në kuzhinën që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skënderbej”.
