Një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur mëngjesin e sotëm, ka tronditur komunitetin e Paleokomit në Serres. Një grua shqiptare 43-vjeçe dhe djali i saj 21-vjeçar humbën jetën, teksa ishin nisur drejt vendit të punës.
Brenda pak çastesh, bashkëshorti dhe babai i viktimave mbeti pa gruan dhe të birin.
Të lidhura
Duke folur mes lotësh për televizionin publik grek ERT, ai u shpreh: “Humba si gruan ashtu edhe fëmijën tim. Ata ishin duke shkuar në punë, nuk e di çfarë ndodhi. Humba gjithçka.” Deklarata e tij ka prekur opinionin publik grek, ndërkohë që familja po përjeton një tragjedi të jashtëzakonshme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, në afërsi të Paleokomit. Sipas autoriteteve greke, automjeti drejtohej nga 21-vjeçari, ndërsa e ëma 43-vjeçare udhëtonte në sediljen e pasagjerit. Për shkaqe që mbeten nën hetim, makina hyri në korsinë e kundërt dhe u përplas kokë më kokë me një kamion. Goditja ishte tepër e fuqishme dhe nënë e bir ndërruan jetë në vend.
Drejtuesi 56-vjeçar i kamionit, i cili pësoi plagë të lehta, tregoi për televizionin Mega çastet e aksidentit: “Po lëvizja normalisht në korsinë time me rreth 75-80 kilometra në orë. Papritur pashë një makinë që po vinte drejt meje. Kishte humbur kontrollin dhe kishte kaluar në kahun tim. U përpoqa të shmangesha duke lëvizur majtas, por nuk pata kohë”.
Në qendër të hetimeve pritet të jenë regjistrimet e kamerës së instaluar në kamion. Mediat greke raportojnë se, kur ndodhi përplasja, shoferi po zhvillonte një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook përmes kamerës së automjetit, e cila fiksoi të gjithë ngjarjen. Në pamje shihet kamioni duke udhëtuar normalisht në rrugën Amfipolis–Drama, ndërsa makina që vinte përballë kapërcen vijën ndarëse dhe futet në korsinë e tij, duke e bërë përplasjen të pashmangshme.
Ekspertët pritet ta shqyrtojnë videon, e cila vlerësohet si një provë me rëndësi për të përcaktuar plotësisht dinamikën e aksidentit.
Dy viktimat ishin shtetas shqiptarë, të vendosur prej vitesh në zonën e Paleokomit, ku punonin në një biznes lokal. Në komunitet njiheshin si njerëz punëtorë dhe të respektuar. Tragjedia ka sjellë pikëllim të thellë te banorët, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar dhjetëra mesazhe ngushëllimi.
Pas aksidentit, shoferi i kamionit u dërgua në Spitalin e Dramës, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Ai është jashtë rrezikut për jetën. Hetimet e autoriteteve greke vazhdojnë për të zbuluar arsyen pse automjeti i drejtuar nga 21-vjeçari kaloi në korsinë e kundërt, duke shkaktuar aksidentin që i mori jetën atij dhe nënës së tij.

