Shpejtësia e autobusit të transportit publik të “Green Line” dyshohet se ka qenë shkak për aksidentin e shumëfishtë që ndodhi sot në Tiranë në zonën e “Shallvareve”.
Një nga drejtuesit e një prej mjeteve të përfshira në aksident ka thënë se ka vënë re se autobusi ishte shumë shpejt.
“Mbaj mend vetëm zhurmat e llamarinave nga mbrapa. E pashë nga pasqyrat që ishte shumë shpejt. Në momentin e goditjes dola pasi mora pak veten se nuk e kuptova cfarë ndodhi. Në autobus pashë që kishte shumë të lënduar. Shoferi i autobusit ishte shumë i tronditur”, tha shoferi.
Ndërkohë, shefi i qarkullit të Tiranës ,Taulant Muka ka bërë me dije se janë 6 persona të plagosur.
“Janë 6 të plagosur. Asnjë nga të dëmtuarit nuk ka rrezik për jetën. Nga 6 të dëmtuar, 2 janë drejtues mjetesh dhe 1 drejtues autobusi. Sa më parë të kemi një verdikt do ju bëjmë me dije”, tha Muka.
Policia po teston disa drejtues mjetesh në vendngjarje edhe për nivelin e alkoolit. Edhe ata që ndodhen në spital pasi të marrin ndihmën mjekësore.
“Ka dyshime për shpejtësi por s’mund të japim verdikt final”, tha Muka. /albeu.com