Aksident tragjik në Itali, humb jetën 28-vjeçari shqiptar

Një 28-vjeçar shqiptar u përfshi në një aksident të rëndë mbrëmjen e djeshme në Breshia teksa udhëtonte me një motor Honda.

Sipas medieve italiane, shqiptari u përplas me një Volkswagen Passat  dhe plagët që mori ishin shumë të rënda. Mëngjesin e sotëm, ai ka ndërruar jetë në  Spitalin Civil të Breshias.

Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 20:00 në Leno, përgjatë rrugës provinciale 668.

Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, por paraprakisht dyshohet se 28-vjeçari me motor e ka goditur nga pas makinën dhe nga përplasja e fortë ka përfunduar disa metra në ajër, para se të binte në tokë.

Mësohet se edhe shoferja e Passat-it ka përfunduar në spital e plagosur, por ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. /Albeu.com/


Shtuar 22.06.2023 12:29