Këtë të hënë rreth orës 14:05, një aksident rrugor është regjistruar në afërsi të qytetit të Gramshit. Sipas informacioneve paraprake, një automjet, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin gjatë qarkullimit.
Për pasojë, mjeti ka dalë jashtë rrugës dhe, për shkak të shpejtësisë, është rrokullisur disa herë, duke përfunduar i përmbysur në anë të rrugës.
Të lidhura
None found
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër që udhëtonte me të. Burime nga vendi i ngjarjes, bëjnë me dije se të lënduarit janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Deri më tani nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ekipet e urgjencës, të cilat kanë kryer veprimet e para dhe kanë siguruar zonën.
Grupi hetimor ka nisur punën për të dokumentuar rrethanat e aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se një nga shkaqet kryesore ka qenë humbja e kontrollit të mjetit si pasojë e shpejtësisë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e plotë të aksidentit dhe përgjegjësitë përkatëse.
