“Air Albania” braktis qytetarët në aeroportin e Milanos, kompania nuk mban përgjegjësi, punonjësja mbyll telefonin (VIDEO)

Dhjetëra pasagjerë e kanë kaluar natën në aeroportin e Milanos, pasi kompania ajrore shqiptare, “Air Albania” në pronësi të qeverisë shqiptare dhe aksion biznesmenin Sinan Idrizi, i braktisi ata duke anuluar fluturimin.

Prej orës 14.00, pasagjerët kanë mbërritur në terminal për të kryer procedurat e embarkimit. Siç dëshmuan ata për News24, sistemi check-in nuk është hapur edhe pse fluturimi ishte parashikuar për në orën 16.50. Nga punonjësit e aeroportit, u është thënë se në pistën e Malpensas nuk ka asnjë avion të “Air Albania”.

Rreth 2 orë më pas në (19.00), pasagjerët e linjës Milano-Tiranë, janë njoftuar nga stafi i aeroportit se një avion i linjës së “Turkish Airlines” me avionët e cilit operon “Air Albania” do të ngrihej nga pista e Malpensës në orën 20.30.

Pasagjerët kanë kaluar procedurat e kontrollit dhe janë ngjitur në avion. Por këtu do të niste tortura edhe njëherë nga e para për ta.

Për 2 orë me radhë ata janë lënë në pritje brenda në bordin e avionit, duke nxitur edhe protestën e tyre, ndërsa ekuipazhi i ka njoftuar se nuk kanë leje nga kulla e kontrollit për nisur fluturimin.

Pasagjerët denoncojnë edhe sjelljen çnjerëzore ndaj tyre, pasi ata janë detyruar të zbresin me forcë nga avioni nga policia italiane.

Pasagjerët ankohen se në mesin e tyre ka foshnja, të moshuar, por edhe persona të sëmurë.

Kompania ajrore “Air Albania” refuzon t’u përgjigjet.

Në kete video shihet momentin kur pasagjerët telefonojnë “Air Albania”-n, por punonjësja nga përtej telefonit thotë se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur dhe se nuk mban as përgjegjësi.

Më pas ajo i mbyll telefonin pasagjerëve edhe pse thirrja e tyre ishte për ndihmë.


Shtuar 12.10.2024 08:22