“Ai besonte në Zot”, rrëfehet miku i ngushtë i Duamenas: Rafa ishte njeri shumë i mirë

Rafael Duamena nuk është më mes nesh, por ai do të kujtohet gjatë pasi vlerat që mbartte e lartësuan mjaftueshëm 28-vjeçarin, sa për të mbetur në memorien e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin edhe përtej fushës së blertë.

Një lojtar, që ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me sulmuesin ganez është Flavio Meçja. Lojtari i Erzenit, që në sezonin e shkuar ka luajtur me Egnatian, shprehet ekskluzivisht për “Panorama Sport” se ndihet i tronditur nga kjo ngjarje, pasi ka humbur një mik të çmuar.

Flavio, si u ndiet kur morët vesh lajmin për ndarjen nga jeta të Duamenës?

Isha duke parë nga televizori ndeshjen Egnatia-Partizani dhe teksa regjia fokusoi pamjet e rrëzimit të Rafaelit, ndjeva në thellësinë e shpirtit se diçka serioze kishte ndodhur me të. Ishin momente paniku dhe po prisja me padurim të merrja një lajm pozitiv. Në një moment pashë që miku im kishte reaguar dhe u lumturova pa masë. Megjithatë, pas pak minutash u informova se Rafa kishte ndërruar jetë. Nuk mbaj mend asgjë nga ai moment, më besoni! Nuk e besoja që Duamena kishte ndërruar jetë. Ai nuk dorëzohej lehtë, ishte një luftëtar në jetën e tij. Doja t’u gjendesha pranë miqve të mi që kam aty dhe u nis menjëherë drejt qytetit të Rrogozhinës, vend në të cilin kalova dy vite të paharruara.

Ju jeni nga ata njerëz që keni ndarë dhomën me të kur luanit për Egnatian. Si ishte Duamena përtej fushës së blertë?

Rafa, siç e thërrisja unë, është njeriu me fantastik që kam njohur deri tani në jetën time. Ai gjithmonë të jepte besim, kurajë dhe të nxiste të mos dorëzoheshe kurrë. Zemërgjerësia dhe modestia e Duamenës ishin në nivele të admirueshme. Me të kishe çfarë mësoje, pasi ai ishte një psikolog i shkëlqyer me gjithçka bënte.

Çfarë ju këshillonte si një lojtar i ri që jeni?

Duamena më thoshte shpesh që duhet punuar çdo ditë me qëllim për të tejkaluar vetveten. Nëse sot je keq, me durim dhe punë, nesër do të jesh më mirë. Ai besonte në Zot dhe shpesh më thoshte se me besim dhe punë arrihet çdo gjë.

Çfarë marrëdhënie kishte Duamena me familjarët e tij?

Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë. Kohën e lirë e ndante me ta duke komunikuar me telefon. Shpesh na fliste për gjyshen, e cila e kishte rritur, por edhe se si jetohej në Ganë, vendlindjen e tij, ku edhe jetonin familjarët e tij.

Çfarë ju bënte përshtypje te sulmuesi ganez?

Më impresiononte me modestinë, përulësinë dhe marrëdhënien e bashkëpunimit që kishte si lojtar, por edhe kur ne jetonim bashkë në hotel. Duamena ngrihej dhe gatuante për të gjithë djemtë që rrinin aty. Ai bënte pafund batuta dhe ishte një person që buzëqeshjen e kishte në çdo moment në fytyrën e tij.

Keni ndonjë peng që mbase keni dashur ta ndanit me Duamenën?

Ikja e parakohshme e Rafaelit më ka lënë një brengë të madhe, aq sa ditën dhe jeta ime nuk është më si më parë. Unë humba një mik të çmuar, familja e tij humbi një djalë fantastik, ndërsa Egnatia dhe futbolli shqiptar një lojtar me cilësi të admirueshme. I kërkova bluzën kur u ndeshëm së fundmi, më tha do të flas me klubin dhe do ta jap. Bluzën nuk mundi të ma dhurojë, megjithatë Rafael Duamena është idhulli im. Dëshiroj të eci në gjurmët e tij.

Pas kësaj tragjedie, çfarë mesazhi keni për gjithkënd që luan futboll?

Të luftojmë të gjithë siç Duamena bëri për 28 vite më radhë. Të jemi qytetarë me cilësitë që ai kishte dhe ta jetojmë jetën duke dhënë pozitivitet dhe mirënjohje për gjithkënd që na rrethon. Zoti e pastë falur mikun tim dhe i paharruar qoftë kujtimi i Rafaelit!


Shtuar 14.11.2023 16:35

Tags: , ,