Agron Tanushi i vrau vajzën, flet e ëma e viktimës: Kemi frikë se kur të dalë do na vrasë si Dan Hutra

Ka folur për mediet nëna e Jetmira Hasanit, e cila u vra tre vite më parë nga ish-kunati i saj, Agron Tanushi.

Pas seancës sot, ku Gjykata e Apelit i shtoi dënimin autorit me pesë vite burgim, e ëma e Jetmirës me lot në sy tha: “Ai nuk ka vrarë vajzën time, por ka vrarë një ëngjëll. Sot në Gjykatë thamë të gjitha gjërat që ai na ka bërë. Njëherë na ka vrarë, kemi frikë kur të dalë. Nuk vranë një nuse por një ëngjëll. Dan Hutra u lirua e vrau tre gra. Po të ma linyte shteti mua drejtësinë në dorë, do e kisha vrarë jo ta çoja në burg”.

Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë, dënoi sot me 28 vite burg Agron Tanushin, i cili vrau kunatën e tij me dy urdhër mbrojtje Jetmira Hasanin, duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë. Ky i fundit ishte ankimuar si nga mbrojtja e autorit që kërkon dënim më të lehtë, ashtu edhe nga familjarët e të ndjerës që kërkonin dënim maksimal, ndërsa togat e zeza të Apelit, dhanë një dënim me 5 vite më shumë se Shkalla e Parë.

Agron Tanushi qëlloi me armë ish kunatën e tij Jetmira Hasani në shtëpinë e tyre në Bathore. Konflikti ka ndodhur pikërisht për arsye prone, pasi banesa pretendohej nga të dyja palët. Jetmira jetonte në katin e dytë të banesës dhe i thoshte Agronit që ishte shtëpia e saj, ndërsa ky i fundit pretendonte se ishte e tij. Viktima ishte e ndarë nga bashkëshorti (vëllai i autorit), me të cilin kishte një vajzë 8 vjeçe. Viktima dhe vajza ishin me urdhër mbrojtje, ndërsa konflikti me kunatin nisi pasi ish-bashkëshorti i Jetmira Hasanit kishte ikur emigrant në Greqi.


Shtuar 26.07.2023 11:43