Agron Gjekmarkaj: Parashqevisë ja kemi borxh një zgjidhje që e nxjerr nga mjerimi, qeveria t’i lidhë pension të jashtëzakonshëm

Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, ka bërë një reagim në lidhje me situatën ku ndodhet artistja shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila shfaqej si e pastrehë në ShBA.

Ai thotë se i vetmi që shprehu vullnetin për ta ndihmuar, është kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qose, ndërsa kërkoi që shembullin e tij ta ndjekë edhe qeveria apo biznesmenët.

Sipas tij, qeveria shqiptare duhet t’i lidhë Parashqevi Simakut, një pension të jashtëzakonshëm për merita të shquara në jetën kulturore të vendit.

Reagimi:

Dy fjalë per Parashqevi Simakun dhe për ne të gjithë!

Parashqevi Simaku një ikonë e muzikës shqiptare po prodhon shumë lajme! Të gjitha të trishta edhe kur duken disi më pozitive! Ekzibicionizmi me gjendjen e saj po merr një permasë të frikshme!

Nevoja për sensacion e klikime me fatkeqësinë e saj gjithëaq! Në mes te kësaj dramë personale tek shoqëria shqiptare u shfaq nostalgjia për artisten e madhe e bashkë me të dhimbja për rrethanat aktuale jetësore!

I vetmi deri sot nga personat me përgjegjësi publike që kanë dëshmuar vullnet për ta ndihmuar edhe për patriotizëm kavajas është Fisnik Qosja Kryetari i Bashkisë Kavajë! Duke vepruar kësisoj ai ka demonstruar një përmasë njerëzore e institucionale të cilën duhet ta marrë si shembull qeveria shqiptare!

Ne nuk e dimë çfarë dhe si dëshiron ta administrojë jetën e saj. Nuk e dimë në do preferonte kthimin në Shqipëri apo do të mbetet në Neë York , por në të dyja rastet si Shtet dhe shoqëri ja kemi borxh një zgjidhje, te vërtetë, te prekshme, që e nxjerr atë nga mjerimi e depresioni e mbi të gjitha që nuk e trajton si “gjah” sensacionesh !

Shume këngëtare të huaj paguhen për të performuar në Tiranë mbase kjo iniciativë mund të merret për të! Qeveria do duhej ti lidhte me patjetër një pension të jashtëzakonshëm per merita të shquara në jetën kulturore të vendit! Biznesmenët shqiptar akuzohen për mungesë të theksuar humanizmi me kullat e tyre në mes të Tiranës, kanë rastin ti përgënjeshtrojnë këto pandehma duke i ofruar në apartament këngëtares së madhe me gjasë e pastrehë!

Nëse ajo dëshiron të jetojë në Amerikë po aq vlen përpjekja e përbashkët ketu dhe atje por e vërteta njerëzore, jo duke e trajtuar ate si objekt sevapi por solidariteti, merite e dinjiteti.

Gjithsesi keto lajme po na vënë në provë etike të gjithëve ne sa të vërtetë mund të jemi me bilbilin e këngës shqiptare , me personalitetin që ma dhuroi emocione të vërteta kur shumëçka qe e rreme!


Shtuar 16.12.2024 10:41