Rregullatori i Barnave për Bashkimin Evropian, të enjten (16 dhjetor) i ka lejuar shteteve anëtare të BE-së përdorimin e pilulës së Pfizer kundër COVID-19.
Kjo leje u dha si masë emergjente për të ndaluar një valë të re të sëmundjes, para se ky bar të aprovohet formalisht për përdorim.
Gjigandi farmaceutik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha këtë javë se pilula- një trajtim i ri që është i paraparë të përballojë variantin Omicron- ka zvogëluar numrin e hospitalizimeve dhe vdekjeve tek njerëzit me rrezik, deri në 90 për qind.
“Produkti medicinal, që ende nuk është autorizuar në BE, mund të përdoret për të trajtuar të rriturit me COVID-19, të cilët nuk kanë nevojë për shtesa të oksigjenit dhe të cilët janë në rrezik të shtuar për të kaluar në sëmundje të rëndë”, tha Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në një deklaratë.
EMA e ka lëshuar këtë deklaratë për të mbështetur autoritetet shtetërore që mund të vendosin në përdorim të hershëm këtë terapi… për shembull për përdorim emergjent, në një periudhë ku shkalla e infektimit është rritur së bashku me vdekjet nga COVID-19 në BE.
Trajtimi i quajtur, “Paxlovid”, është kombinim i dy tabletave që merren ndaras.
“Paxlovid duhet të administrohet sa më herët që është e mundur pas diagnostifikimit me COVID-19 dhe brenda pesë ditësh nga nisja e simptomave”, tha EMA duke shtuar se tabletat duhet të merren më pastaj edhe për pesë ditë të tjera.
Efektet më të shpeshta anësore janë një pengesë në shqisën e shijes, diarre dhe vjellje.
Sipas njoftimit, ky bar nuk duhet të përdoret nga gratë shtatzëna dhe gjithënia duhet të ndërpritet derisa merret terapia.
Deri më tani, EMA veçse ka lëshuar një aprovim për përdorim të ngjashëm emergjent të pilulës të prodhuar nga rivali i Pfizer, Merck./REL