Qindra shqiptarë sigurojnë punësim sezonal në shtetet fqinje. Së fundmi kjo po ndodh dhe brenda vendit tonë.
ABC News takoi një familje nga Lushnja në Xarrë të Konispolit. Prej dy muajsh ata mbledhin mandarina dhe fitojnë 2 mijë lekë në ditë.
Ata janë Agimi dhe Violeta dhe me dy fëmijët e tyre kanë lënë Lushnjën për t’u punësuar nga fermeri Areti Thoma.
“Punojmë me fushata, kur gjejnë punë punojmë. Në Lushnjë s’ka shumë punë është dobët. Këtu marrim 2 mijë lekë. Në Lushnjë të japin 1500 lekë dhe punojmë dy herë a tre here më muaj“, thotë Agimi.
Vjoleta tregon se kjo nuk është një punë aq e lehte. Duart e saj që janë prerë nga gërshëra skanë nevojë për koment.
“Mbushim nga 40-50 arka për njëri në ditë. Që në mëngjes deri në orën 2. Nga mesi i janarit mbarojnë mandarinat dhe do kthehemi në Lushnjë“, tregon Violeta.
Familja Thoma që i ka punësuar, uu ka siguruar edhe një banesë. Nuk paguajnë qira po vetëm faturat e ujit dhe energjisë.
Rubia dhe Areti Thoma jetojnë në Greqi po herë pas herë kthehen për tu kujdesur, vjelë dhe tregëtuar mandarinat.
“Është punë shumë e vështirë. Spërkatim, bëjmë vaditje natën se korrenti është i dobët. Edhe puna e vjeljes është e vështirë. Ngrihemi në 5 të mëngjesit shkojmë në grumbullim dhe marrim arkat për t’i mbledhur. Sjellim punëtorët në fushë dhe më pas i rregullojmë mandarinat siç i do tregu”, sqaron Rubia Thoma.
Ankohen për vështirësitë e gjetjes së tregut dhe çmimin 50 apo 40 lekë për kg të cilin se vendosin dot vetë, por tregtarët që u blejnë mandarinat.
Fermerët e Xarrës, por dhe fshatrave të tjerë të Konispolit të ardhurat gjatë dimrit i sigurojnë nga shitja e mandarinave dhe ullinjve. Vitet e fundit kanë pasur më pak fitime për shkak se janë zona të largëta.