Afganët e ardhur në vendin tonë janë shprehur se janë të lumtur që ndodhen këtu, pasi i janë larguar rrezikut permanent që i kërcënonte, per sipas tyre qëndrimi në vendin tonë do të jetë afatshkurtër.
Disa prej tyre besojnë se do të qëndrojnë fare pak në Shqipëri dhe kjo do të jetë një periudhë thjesht tranzitore.
154 afganë kanë mbërritur gjatë orëve të para të mëngjesit së të shtunës në Tiranë.
Ata janë akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti dhe po qëndrojnë në godinat 11 dhe 12, pranë mensës dhe qendrës shëndetësore.
Pas akomodimit në dhoma e pak orë çlodhje, të shoqëruar nga stafi Bashkisë së Tiranës iu drejtuan menzës së qytetit studenti.
Avioni i dytë që u nis nga Kabuli, mbërriti një natë më parë në aeroportin e Rinasit, rreth orës 22:45, me 95 pasagjerë në bord, mes të cilëve 2 foshnje.
Ndërsa pas mesnate, rreth orës 01:15, mbërriti dhe grupi i dytë, me fluturimin nga Doha, me 59 shtetas të tjerë afganë.
Kujtojmë se dy ditë më parë, rreth orës 23:00, arriti avioni i parë me 121 afganë. Ata janë akomoduar në strukturat e hotelerisë së Golemit./albeu.com