Skandali i skemës së evazionit fiskal të kompanive të inceneratorëve me fatura fiktive vijon të thellohet ditë pas dite edhe më shumë. Pas denoncimit të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, gazeta “Panorama” kontaktoi me personat që figurojnë pronarë të kompanisë “Pëllumbi 2015”, ku sipas denoncimit të kryetares së LSI-së ka lëshuar rreth 430 mijë dollarë fatura fiktive me kompanitë e inceneratorëve.
Por, njësoj si edhe në rastin e dy të moshuarve, edhe këtu kemi të bëjmë me mashtrime. Arjan Habibi është një prej ortakëve të kompanisë “Pëllumbi 2015”, por gjatë intervistës për gazetën “Panorama” ai u shpreh se nuk ka asnjë dijeni për evazion fiskal. Ai pohoi se ka qenë punëtor krahu që merrte nga 500 deri në 600 mijë Lek të vjetër në kompaninë në fjalë dhe se pronari real sipas tij e kishte bërë administrator për çështje taksash.
Pas kësaj bisede gazeta “Panorama” kontaktoi me Pëllumb Hasanin, i cili sipas ekstraktit historik të shkarkuar nga QKB-ja rezulton administrator i firmës ndonëse me status të pezulluar. Hasani mohon që të ketë bërë evazion fiskal. Ai thotë se firma e tij merret me pllaka betoni, bordura, puseta dhe kapak pusetash dhe se çdo punë që ka bërë e ka kryer me fatura të rregullta.
Por, ai hedh akuza ndaj një tjetër personi të quajtur Aliko Agolli, i cili sipas përshkrimit të Pëllumb Hasanit është ekonomisti i firmës së tij. Hasani dyshon se evazionin fiskal e ka bërë Aliko Agolli pasi në 5 vitet e fundit ai e ka pasur vulën dhe të drejtën e firmës së kompanisë dhe të drejtën për lëvizjet bankare.
Z. Hasani, a jeni në dijeni se jeni pronarë i një kompanie që rezulton se ka kryer rreth 430 mijë dollarë evazion fiskal, sipas LSI-së?
Pëllumb Hasani: Aliko Agolli ka mbajtur të gjitha faturat, hyrjet dhe daljet e firmës. Ai ka bërë të gjitha veprimet me firmat e tjera me bankat dhe me të gjitha. Vulën e ka pasur ai dhe të drejtën e firmës.
Ju dyshoni se jua ka bërë Aliko Agolli këtë?
Pëllumb Hasani: Nëse ka një gjë të tillë, e ka bërë ai patjetër. Unë s’kam bërë asnjë veprim. Unë e kam marrë në telefon atë, e ka pasur zyrën te ish-Stadiumi Dinamo. Por tani, nuk ma ka hapur as mua telefonin. Unë e kam marrë disa herë në telefon, sepse kam çuar tuba e pllaka në Vlorë dhe më tha se jemi në proces gjyqësor. U bë 5 vite që kemi çuar 70 milionë Lek të vjetra në Vlorë. Unë e kam marrë për lekët e mia, sepse s’më kanë paguar për punën që kam bërë.
Aliko Agolli jua ka gjetur punën në Vlorë?
Pëllumb Hasani: Jo, jo ai ka mbajtur letrat e firmës, ka pasur të drejtën e përdorimit të firmës dhe vulës komplet. Ai ka mbajtur bllokun e faturave dhe lëvizjet bankare ai i ka bërë. I kam çuar disa herë mesazhe për të marrë ndonjë lek. Kemi punuar në Lungo Mare dhe në Allias 1 muaj po me këtë firmë që s’ka paguar lekë. Unë vet i kam të gjitha faturat e rregulla. Çfarë ka hyrë dhe çfarë ka dalë.
Pra, ju keni blerë zhavorr dhe keni prodhuar pllaka e bordura nuk është se keni blerë fruta e perime për të shitur beton?
Pëllumb Hasani: Jo, jo, skam lidhje fare as me perime as me rrush e as me fiq. Unë kam lidhje vetëm me betona, puseta, bordura, kapak pusetash. Skam lidhje fare me fruta e perime.
Po nga krimi ekonomik apo nga tatimet, ju kanë lajmëruar për evazion fiskal?
Pëllumb Hasani: Edhe kur kanë ardhur tatimet i kam dhënë numrin e Alikos dhe ka marrë vesh Aliko me ta dhe i ka treguar për siguracionin e punonjësve, për tatim fitimin e me çdo gjë është marrë Aliko me këtë punë.
A do të nisni ju proces gjyqësor, nëse ka vërtet një evazion fiskal?
Pëllumb Hasani: Unë në gjyq do e çoj vetëm për të marrë lekët e mia se më ka shkuar mbi 60 milionë Lek për të marrë për të tjerat nuk më intereson./ Panorama