Abuzimet me tenderat e rrugëve/ GJKKO lë në fuqi masat ndaj kreut të ARRSH-së, Berberi dhe dy bashkëpunëtorëve

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, njofton se: “Sot më 25.04.2024,shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ankimet e personave nën hetim Evis Berberi, Ervis Lami, Valter Begaj, me objekt:

“Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Hetimet ndaj Berberit

Hetimi i prokuroririsë së posaçme ndaj kreut të ARRSH Evis Berberi ka nisur nga publikimet në media dhe portale të ndryshme ku shkruhet se Evis Berberi, gjatë kryerjes se detyrës se tij si drejtor i Agjencisë se Efiçensës se Energjisë si dhe drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptarë ka përdorur dhe vazhdon te përdorë shoqëritë tregtare “Net Group” sh.p.k. dhe “DAAM” sh.p.k. për të përfituar në mënyrë të paligjshme interesa financiare prej tyre.

Nga informacionet që janë publikuar citohet se Evis Berberi ka marrëdhënie shoqërore me Valter Begaj dhe është pikërisht ky i fundit qe shërben si lidhje midis shtetasit Evis Berberi dhe dy shoqërive tregtare te sipërcituara.

Gjatë hetimeve paraprake në pyetje, është marrë biznesmeni Valter Begaj i cili ka deklaruar se me Evis Berberin dhe gruan e tij, Adela Ruko, është njohur kur kanë punuar së bashku tek shoqëria Euroteorema ShPK prej vitit 2004 e deri ne 2005.

Ai ka deklaruar se prej atyre viteve ka ruajtur marrëdhënie shoqërore në vazhdim me këto dy shtetas.

Sipas SPAK nga këqyrja e sistemit elektronik të agjencisë së prokurimit publik rezulton se shoqëria “Net Group” sh.p.k është shpallur fituese ne 3 procedura prokurimi të ARRSH, gjatë kohës që drejtor i përgjithshëm ka qenë shtetasi Evis Berberi.

Ky fakt rezulton nga procesverbali “Për këqyrjen e marrjen e të dhënave nga faqja e Agjencisë se Prokurimit Publik”, date 12.09.2023, mbajtur nga hetuesi i BKH dhe ku objekt këqyrje janë buletinet e APP Nr. 163, date 15.11.2021, Nr.85, date 27.06.2022 dhe Nr.90, date 04.07.2022, ku shoqëria “Net-Group” sh.p.k është shpallur fituese ne procedura prokurimi të zhvilluara nga ARRSH, në shumën totale prej 101,811,343.88 leke, pa TVSH.


Shtuar 25.04.2024 11:56