Të dielën e shkuar në “Për’puthen +40” pati një takim 4 minutash mes mësueses nga Lushnja, Gilberta Simonit dhe zotërisë nga Përmeti, Ilir Lara. Gjatë takimit të shkurtër mes tyre u duk se pati shumë kimi dhe ata morën mjaft komente pozitive si nga opinionisti, Arjan Konomi, por edhe nga konkurrentët.
Mirëpo çfarë mendojnë dy protagonistët, a mund të jenë Gilberta dhe Iliri çifti i parë i këtij formati të ri? Gjatë një lidhje me skype në emisionin “Shqipëria Live”, Gilberta dhe Iliri thanë se mes tyre ka lindur një shoqëri e mirë, por se çfarë do të ndodhë më vonë pritet ta shohim.
“Mund të themi që ka filluar një shoqëri e mirë, më vonë do ta shikojmë”, tha Gilberta. Ndërsa Iliri e pranoi se mes tyre ka kimi dhe shtoi: “Është një shoqëri e vërtetë, ndjej kimi. Më ka pëlqyer Gilberta se është person që nuk do konflikte, ka dinamikë, më kërkon llogari, edhe pse është pak shpejt. Dua ta njoh, besoj se do të ketë gjëra të tjera interesante”.
Gjithashtu, Gilberta u zgjodh edhe si një nga konkurrentet më të preferuara nga njerëzit, që e vlerësuan atë për korrektësinë, sinqeritetin, kulturën dhe qetësinë. Ndërsa prezantuesja e emisionit, Bora Zemani bëri të ditur në “Shqipëria Live” se së shpejti do të ketë hyrje të reja në program dhe shumë surpriza interesante.