A ka marrë revansh krimi? Balla: Unë nuk kam thënë që Shqipëria s’do ketë plagosje apo vrasje

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, mohon që krimi të ketë marrë revansh, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit kriminale.

I pyetur për atentatin e ndodhur mbrëmë në Shkodër, Balla tha se vetë ai nuk ka thënë që Shqipëria s’do ketë plagosje apo vrasje, por sipas tij, e rëndësishme është që Policia e Shtetit të rritë fuqinë.

“Unë nuk e di ku e shikoni ju revanshin. Unë di të them që ka një revansh të shtetit, të të gjitha agjencive ligjzbatuese kundër krimit të organizuar në vend dhe kjo është një prej sfidave më të rëndësishme. E para në rastin e Lezhës, e gjithë ngjarja është zbardhur, më vjen keq që s’e keni informacionin dhe personat do të përballen me drejtësinë.

Jam shumë i sigurt dhe kam besim për ekipin që po drejton hetimet në Shkodër, unë nuk kam thënë asnjëherë që në Shqipëri nuk do të ketë plagosje apo dhe larg qoftë, ngjarje kriminale me humbje jete por ajo që është e rëndësishme është se në Shqipëri, Policia e Shtetit e ka rritur ndjeshëm fuqinë e saj zbuluese për t’i shkuar në fund ngjarjeve kriminale jo vetëm të reja, po edhe të vjetra”, tha Balla.


Shtuar 13.03.2024 13:43