Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka mohuar sot se Serbia po dërgon armë në Ukrainë.
“Serbia, duke respektuar aktet ligjore të brendshme dhe ndërkombëtare, nuk eksporton armë dhe pajisje ushtarake në asnjë vend nëse kjo do të mundësonte shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura, rrezikonte ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale ose rrezikonte interesat e saj të mbrojtjes”, tha Daçiç.
Agjencia e lajmeve, Reuters, duke cituar informacione nga dokumentet sekrete të Pentagonit të zbuluara, njoftoi se Serbia, i vetmi vend në Evropë që refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, ka pranuar të dërgojë armë në Kiev, ose i ka dërguar tashmë ato.
Një dokument që përshkruan përgjigjet e qeverive evropiane ndaj kërkesës së Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihmë vdekjeprurëse”, ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve sekrete të publikuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve të SHBA në vite, tha agjencia.
Me titull “Përgjigja evropiane ndaj konfliktit të vazhdueshëm ruso-ukrainas”, dokumenti në formën e një grafiku rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesës së Ukrainës për ndihmë ushtarake.
“Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq mohon pretendimet për eksportin e pretenduar të armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë, të cilat janë publikuar nga agjencia britanike Reuters dhe raportuar nga disa media vendase”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Ai theksoi se Serbia i përmbahet politikës së saj të neutralitetit ushtarak dhe zbaton konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga shkurti i vitit të kaluar.
Kreu i diplomacisë serbe nënvizoi edhe një herë se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, për asnjë nga palët në konflikt nuk është eksportuar armë nga Serbia, thuhet në deklaratë.
Ai vuri në dukje se lejet për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Serbisë u jepen ekskluzivisht blerësve me Certifikatë të Përdoruesit Fundor, ku ndër të tjera thuhet se përdoruesi përfundimtar nuk mund të rieksportojë armë pa pëlqimin e institucioneve kompetente të Serbisë. /albeu.com