A firmos Gazment Bardhi për pagat në PD? Si përgjigjet Noka

brëmjen e sotme në emisionin “Log” ka qenë i ftuar Flamur Noka, i cili mohon që Gazment Bardhi të ketë kërkuar bashkëpunim për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Procesi nuk ka nisur dhe nuk flitet për përjashtim. Partia Demokratike është e hapur. Jo vetëm në këtë proces, por e hapur vazhdimisht që nga dita që në krye të saj është zgjedhur Sali Berisha. Jeni dëshmitarë të thirrjeve të vazhdueshme që kemi bërë që nga data 7 mars e vitit te kaluar. Thirrjet kanë qenë të bashkohemi. Dera ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur. Dora ka qenë e  shtrirë dhe do të vazhdojë të jetë për çdo demokrat dhe deputet që ka si qëllim luftën me regjimin.

Zoti bardhi nuk ka kërkuar për asgjë. Ajo që mund tu them nuk ka nevojë të kërkojë askush dera është e hapur. Ne primaret nuk i zhvillojmë vetëm për atë që duan Flamur Nokën. Çdo deputet në rast se ka një ide është i mirëpritur”, tha ai.

Por a firmos Gazment Bardhi për pagat e administratës së selisë blu? Noka nuk dha një përgjigje konkrete, ndërkohë që Bardhi njihet ende zyrtarisht si Sekretar i Përgjithshëm i PD. Lidhur me këtë ngërç në PD, demokrati bëri sërish fajtor Edi Ramën, që sipas tij ka marrë peng logon dhe vulën e vjetër.

“Unë mund të pretendoj sot them të them jam princi i Uellsit. Po kush jam unë? A më njeh Uellsi për princ. Demokratët kë njohin.

Ju do më kërkoni llogari mua pse Rama ka marrë peng vulën dhe logon e  vjetër të PD. Unë ju jap përgjigje. Ramës i intereson të mbajë peng vulën, t’i fryjë zjarrit. Përgjigjen më mirë mund t’ja japin demokratët”, tha ai.


Shtuar 30.09.2022 22:03