Me largimin e ambasadorëve të vendeve të BE-së nga salla e Kuvendit maqedonas, shumica dhe opozita hoqën maskat e konsensusit. Kështu, debati vazhdoi.
VMRO-DPMNE-ja kërkoi pauzë, por Xhaferi i kërkoi që të ulen në vendet e tyre dhe të mos qëndrojnë jashtë.
Xhaferi: Urdhëroni në seancë. Pse qëndroni jashtë. Si kërkon pauzë duke qëndruar jashtë. Me sallë të zbrazur? Me sallë të zbrazur nuk ka pauzë. Kështu po të them!
Micevski: Këtu jam unë.
Xhaferi: Po çfarë nëse je këtu?
Micevski: Çfarë po flet ore?
Xhaferi: Ti çfarë po flet!
Micevski: A e dëgjon vetën çfarë thua?
Dukej se mes pushtetit dhe opozitës kishte marrëveshje për të kaluar Propozim-Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale. Me mbylljen e seancës se 82 dhe vazhdimin e seancës së 50 pa e shqyrtuar këtë ligj, opozita vendosi të lëshon sallën. Micevski i kujtoi Arbër Ademit të BDI-së se marrëveshja e arritur në koordinim nuk vlen.
Micevsi: Mik, harroje atë për të cilën u morëm vesh. Nuk vlen!
Opozita përsëri u kthye në sallë, ndërsa koordinatori i VMRO-DPMNE-së përsëri kërkoi pauzë.
Xhaferi: Shko ulu në vend dhe kërko çfarë të duash.
Micevski: kërkova paraprakisht. Më jep procedurale.
Xhaferi: Por shko në vend. Nuk mund të rrini në këmbë dhe të kërkoni të gjithë për njëherë duke qëndruar para meje këtu.
Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin e pikave nga seanca e 50 dhe 57 me shumicë minimale prej 61 deputetëve prezent në sallë. / Alsat.mk