A do të bashkëpunoni me Berishën nëse vjen në krye të PD-së? Si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse ka bashkëpunuar fshehtas me kreun demokrat Lulzim Basha dhe nëse ky i fundit do të largohej më 6 janar, a do të bashkëpunonte me Sali Berishën.

Në lidhje me bashkëpunimin e fshehtë me Bashën, Rama tha se është fund e krye e pavërtetë.

“Jemi në një kohë kur sipas meje nuk kam bërë statistikë por sipas meje, dita prodhon më shumë gënjeshtra se të vërteta. Akuza merr dhen, gjithë dynjaja fillon shan, ndërkohë makina është e dikujt tjetër. Akuzohem unë që paguhem 730 mijë euro në vit për fluturimet. Akuza merr dhen fillojnë sharjet. Gënjeshtër fund e krye. Gënjeshtër pa bravë fare. E keqja bën më shumë bujë. Dhe gënjeshtra gjen më shumë vesh. Kur gënjeshtra bën xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur pantallonat.” tha Rama.

Sa i takon bashkëpunimit me Berishën, Rama tha se ajo që po ndodh aktualisht në PD, po e çon këtë parti drejt fundit, që sipas tij është përgatitur vite me radhë nga Basha e Berisha. Sipas tij, Basha dhe dhe Berisha janë dy anët e marrëzisë në PD, dhe nuk do të interesohet për asnjërin prej tyre.

“Basha është në dy anët e një marrëzie që po e çon PD drejt një fundit të merituar për shkak se është i përgatitur prej vitesh. Jo nga unë as nga ne dhe ju, as nga shqiptarët që e besojnë dhe votojnë. Por pikërisht nga këto dy figura që janë shëmbëlltyra e gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër në përsëritjen e një gjëje për të kërkuar rezultate. Një forcë politike që nuk ka prodhuar prej vitesh asnjë gjë përveç mitesh fitoresh të vjedhura dhe sherre. Rrëmuja që kanë dëmtuar vendin. Përpjekje për tu kthyer në pushtet pa pasur kapacitet real për të qeverisur. Për mua është shumë e qartë. Nuk kam punë as me Bashën dhe as me Berishën. Në hallin e tyre e kanë kthyer në hallin e PD dhe në hallin e Shqipërisë por nuk është e mundur. Nuk bëj parashikime dhe nuk do them çfarë sjellë e ardhmja. Por siç janë gjërat nuk kam asnjë arsye përpos dëshirë për tu marrë me ta. Edhe kohën nuk do ma marrin më. Nuk kam asnjë preferencë. Është një marrëzi e ndarë përgjysmë.” tha Rama.


Shtuar 30.12.2021 12:11