Me mësimin në universitete që vijon online prej muajsh, teatrot mbyllur dhe aktivitetet sociale e kulturore të kufizuara, Komiteti Teknik i Ekspertëve për vendimet e marra u përball me një padi nga Partia Republikane, vetëm në kudër të fushatës elektorale.
Sa i përket prioriteteve të politikës, edhe kur bëhet fjalë për jetët e njerëzve, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli shpjegon për ABC, “Për neve gjithmonë prevalon shëndeti. Pra është si duhet shëndeti dhe pastaj në varësi të masave që propozohen në mbrojtje të shëndetit, funksionojnë të gjitha aktivitetet e tjera”.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rishikimin e elementit të përkohshmërisë në Urdhrin 633/2020, që ndalon tubimet dhe grumbullimet me mbi 10 veta dhe si rrjedhojë, zëvendësimit të togfjalëshit “deri në një urdhër të dytë” me “deri në 25 mars”, kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, tregon se çdo të ndodhë më tej, me përfundimin e këtij afati.
“Përderisa është vendimi i Gjykatës Kushtetuese patjetër që është detyrim zbatues. Ne do të shprehemi gjithmonë për afatin në lidhjen me numrin e personave që mund të grumbullohen sipas situatës epidemiologjike në vend” tha ajo.
Rakacolli shpjegon nëse do të lejohen grumbullimet në kuadër të fushatës, nëse situata epidemiologjike do të paraqitet e ngjashme me aktualen. “Në rast se situata epidemiologjike është kjo që është sot, indikatorët tregojnë që nuk duhet në asnjë mënyrë që të zgjerohet numri i personave që marrin pjesë në një aktivitet së bashku, të çfarëdo lloji qoftë ky aktivitet. Kjo nuk ka të bëjë me tematikën e aktivitetit, por ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit”.
Ndërkohë që 25 prilli po afron, zëvendësministrja mohon faktin se procesi i votimit mund të përbëjë një risk shtesë për shëndetin e njerëzve. “Gjatë procesit të votimit, është e mundur që të merren të gjitha masat, që parashikon ato rregullat e shëndetit publik që të mos ketë mundësi infeksioni.
Pra, ambientet, numri i njerëzve që do të jenë brenda në një hapësirë të bollshme për atë numër njerëzish që do të jenë aty, vendosja e rregullit të qytetarit që do të votojë, është e menduar mirë dhe është e mundur deri në detaj, dhe është krejtësisht e mundshme që njerëzit të gjithë ata që dëshirojnë dhe është mirë, që të gjithë e kemi detyrë qytetare që të marrim pjesë në votime, të mos riskohen nga ky proces, të mos riskohen më tepër se sa riskojnë në jetën e përditshme” tha Rakacolli.
Ndërsa në përditësimet Covid-19 vërehet një rënie e numrit të infektuarve, Rakacolli tregon nëse kjo do të sjellë rishikimin e masave dhe heqjen e orës policore. “Padyshim që të gjitha masat janë në varësi të numrave dhe të indikatorëve që monitorojnë situatën. Është numri i rasteve të reja ditore, pozitiviteti i testimeve të bëra, numri i të shtruarve në spital, numri atyre që janë në kujdes intensive, që është shumë e rëndësishme dhe numri i jetëve të humbura.
Ndërthurja e këtyre indikatorëve, na sugjeron ne nivelin e masave që duhen për ti mbajtur të kontrolluar këto indikatorë. Masat janë gjithmonë në përputhje me indikatorët dhe me hetimin epidemiologjik, që ka shumë elementë, por një nga elementët është gjetja e vendeve ku kanë ndodhur infeksionet.
Kjo është arsyeja që u vendos ora policore deri në orën 20.00 nga ora 22.00 që ishte më përpara, sepse u pa që një pjesë e mirë e infeksioneve është marrë në restorante pas orës 20.00. Pra në varësi të këtyre do të jenë edhe masat. Kështu që mund të qëndrojnë në këtë nivel, mund të lirohen, të shpresojmë shumë, por nëse situata përkeqësohet mund edhe të shtrëngohet” përfundoi ajo./ Abcnews.al