800 mijë euro brenda çantës së palestrës, prangosen dy shqiptarë në Itali

Dy të rinj shqiptarë kanë rënë në prangat e Policisë Italiane në provincën Rozzano të Milanos.

Ata u kapën me shumën e 800 mijë eurove, të ndara në pako.

Arrestimi i dy shqiptarëve, 29 e 19 vjeç, është bërë që të enjten, por njoftimi u dha vetëm sot.

Ata ishin gjurmuar nga agjentët në kuadrin e një hetimi anti-drogë, pasi u vunë re teksa dilnin nga një apartament në Rozzano, i cili survejohej për shkak se dyshohej si bazë logjistike e një bande të trafikut të drogës.

Pas ndalimit, të rinjtë nuk ishin në gjendje të justifikonin origjinën e parave, të cilat, sipas agjentëve, mund të jenë pagesë për ndonjë ngarkesë droge që ka kaluar dorë pas dore, ose ndoshta ata mund të jenë ‘llogaritarët’ që merren me mbledhjen dhe shpërndarjen e parave për llogari të bandës.

Paratë ishin fshehur në çantën e palestrës nga dy të rinjtë shqiptarë.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/