75 vite Forca Ajrore, Presidenti Begaj nga Kuçova: Aviacioni ushtarak hyn në një kapitull të ri modernizimi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë këtë të enjte në ceremoninë e 75-vjetorit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar, e zhvilluar në bazën ajrore të Kuçovës.

Në këtë aktivitet, Kreu i Shtetit nderoi brezat që kanë shërbyer ndër vite në Forcën Ajrore, duke kujtuar komandantin e parë Edip Ohri si edhe 43 Dëshmorët e Kombit që humbën jetën në krye të detyrës. Ai vlerësoi rrugëtimin e aviacionit ushtarak, duke e cilësuar atë si një histori transformimi që ka ndjekur zhvillimin e vetë Shqipërisë.

Të lidhura

None found

Begaj theksoi se Forca Ajrore ka kaluar nga një periudhë izolimi dhe teknologjie të kufizuar drejt standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke u kthyer në një element kyç të sigurisë kombëtare dhe asaj kolektive.

Sipas tij, modernizimi i Forcës Ajrore përmes pajisjes me helikopterë Black Hawk, zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore nga toka, ngritjes së detashmentit të avionëve pa pilotë dhe ndërtimit të një sistemi të integruar të vëzhgimit ajror përfaqëson një kapitull të ri për mbrojtjen e vendit. Ai nënvizoi gjithashtu transformimin e bazës së Kuçovës në një bazë taktike ajrore të NATO-s.

Duke iu referuar situatës ndërkombëtare dhe konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Presidenti theksoi se mbrojtja kolektive është një domosdoshmëri dhe kërkon përkushtim dhe gatishmëri të vazhdueshme. Në këtë kuadër, ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të arritur objektivin e rritjes së buxhetit të mbrojtjes deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, në përputhje me vendimet e NATO-s.

Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Begaj shprehu mbështetjen e tij të plotë për Forcën Ajrore dhe vlerësoi rolin e efektivëve, pilotëve, teknikëve dhe specialistëve të tjerë, duke i cilësuar ata si trashëgimtarë të denjë të një historie 75-vjeçare.

Në përfundim të ceremonisë, Presidenti ndoqi edhe një demonstrim ajror të Forcës Ajrore, ku u përfshinë fluturime të avionëve F-16 të NATO-s si dhe të flotës së helikopterëve të bazës ajrore të Farkës.


Shtuar 30.04.2026 18:30