7 vjeçarja qëllohet për vdekje në prehërin e babait

Një vajzë 7-vjeçare është qëlluar për vdekje nga forcat e sigurimit të Myanmar.

E mitura u vra në shtëpinë e saj gjatë një sulmi ushtarak, sipas grupit të avokatisë, Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) dhe mediave të huaja.

 Duke cituar të afërmit, media lokale e lajmeve “Myanmar” njoftoi se vajza, e quajtur Khin Myo Chit, u qëllua teksa ishte ulur në prehrin e babait të saj, pasi forcat e sigurimit goditën derën në shtëpinë e familjes. Organizata “Save the Children” thotë se mbi 20 fëmijë janë në mesin e viktimave në protesta.

Vrasja e një fëmije në krahët e babait të saj i përshtatet një modeli abuziv të dhunës vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë që kanë në shënjestër jo vetëm protestues të paarmatosur dhe kundërshtarë të grushtit të shtetit, por edhe kalimtarë, civilë dhe fëmijë.

Pavarësisht rreziqeve dhe dhjetëra vdekjeve, qindra mijëra njerëz në të gjithë vendin vazhdojnë të protestojnë dhe të marrin pjesë në një lëvizje të mosbindjes civile. Myanmar është përfshirë nga trazirat pasi ushtria ka marrë pushtetin, më 1 shkurt.


Shtuar 24.03.2021 12:45