Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka folur për mediet pas përfundimit të Këshillit Kombëtar të Rithemelimit.
Ai deklaroi se mbledhja e Këshillit Kombëtar i shërbeu bashkimit dhe se ky bashkim i opozitës është më afër se kurrë.
Ai shtoi se misioni historik i demokratëve është që të kthejnë votën e lirë, e cila, sipas tij, është dhunuar në 10 vitet e qeverisjes së Edi Ramës.
Ai gjithashtu tha se kishte 6 vota kundër ndryshimeve të statutit.
Flamur Noka: Ne jemi në një etapë të re, duam bashkimin e demokratëve. Tashmë të gjithë të bashkuar do të vërshojmë cep më cep të Shqipërisë, për të bashkuar opozitarët për të rrënuar qeverinë kriminale. Misioni ynë historik është që shqiptarët të votojnë të lirë. Prej 10 vitesh, qeveria shkatërron zgjedhjet. Dhe që të rikthehet vota e lirë, duhet një qeveri teknike. Ndryshimet janë konfirmuar nga Kryesia dhe tani do të kalojnë tek Këshilli Kombëtar.
Kryesia e Rithemelimit votoi pro propozimit të ndryshimit të dy neneve të statutit që i hapin rrugë emërimit të Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt si nënkryetar partie.
Një ditë më parë u zbardhën edhe dy nenet e statutit të Rithemelimit.
Konkretisht në nenin 47 të statutit, shtohet një pikë sipas të cilës kryesia e grupit parlamentar të bëhet pjesë e kryesisë së Rithemelimit.
Dy nenet që ndryshojnë:
Në nenin 47 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon;
Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta të fundit kuptohet me vendim Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, dëri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.
Në nenin 51 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon;
Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit sipas ndryshimeve të reja statutore që u miratuan janë:
Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar
Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar
Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit
Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)
Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)
Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)
Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)
Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)
Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane)./albeu.com