“5 mijë euro ose do të publikoj videot”/ Arrestohet 30-vjeçari që shantazhonte një vazjë (EMRI)

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Dibrës, kanë arrestuar një 30-vjeçar, i cili akuzohet se shantazhonte dhe përndiqte një vajzë dhe familjarët e saj, për dhënien e një shume prej 5 mijë eurosh, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të saj në rrjete sociale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Phone fiend”, është vënë në pranga shtetasi Indrit Vucaj, 30-vjeç, banues në Bulqizë, i cili akuzohet për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”

Sipas autoriteve policore, ky shtetas më përpara ka qenë 7 herë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin zvicerian.

“Nga veprimet hetimore të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, i cili dyshohet se ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, një 33-vjeçare dhe familjarët e saj, për mospublikimin e disa fotove dhe videove personale të 33-vjeçares, në rrjete sociale”, – thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 20.09.2024 10:19