47% e banorëve të Prishtinës janë infektuar nga koronavirusi

Komuna e Prishtinës publikoi një hulumtim që vë në pah se rreth 47 për qind e qytetarëve të kryeqytetit kanë qenë të infektuar me koronavirus dhe ndër më të prkurit janë punonjësit shëndetësorë. Zyrtarët thanë se ende është herët të flitet për imunizim në shkallë të gjerë, ndërsa qeveria është zotuar të vaksinojë 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit.

Një hulumtim i publikuar nga komuna e Prishtinës nxjerr në pah se rreth 47 për qind e qytetarëve të kryeqytetit kanë qenë të prekur nga COVID-19, që nga shfaqja e këtij virusi në pranverën e vitit të kaluar.

Hulumtimi i kryer me 1255 qytetarë të Prishtinës, sipas kryetarit të komunës Shpend Ahmeti do të ndihmojë hartimin e politikave për të ardhmen.

“Nga ky hulumtim na del që gati gjysma e qytetarëve të Prishtinës e ka pasur tashmë virusin COVID. Po e them sepse nga diskutimet që bëhen për imunitetin e tufës thuhet se diku 70 për qind veç se krijohet një imunitet por definitivisht kur e shohim që ky hulumtim është kryer në muajin maj dhe qershor të këtij viti kur e shohim këtë dhe shohim numrat e COVID në Prishtinë del në fakt që numrat kanë rënë, që nuk e kemi më, vala e pandemisë ka përfundu por definitivisht një prej arsyejeve kryesore se pse nuk kemi numra të lartë është faktikisht se kemi një përqindje të madhe të njerëzve që e kanë kalu COVID-in”, tha zoti Ahmeti.

Sipas studimit të kryer në periudhë tetor – dhjetor të vitit të kaluar del se 48 për qind e punonjësve shëndetësorë qenë të prekur nga COVID-19 nga i cili ishin prekur edhe 21 për qind e punonjësve të administratës komunale.

Zoti Ahmeti thotë se kujdesi duhet të vazhdojë.

“A kemi arrit edhe pse hezitojmë gjithmonë, imunitetin e tufës që është përmendur gjithkund nëpër botë, hezitojmë ta përmendim sepse ende nuk ka konkludime të sakta mbi atë se çka përbën një imunitet i tufës duke e ditur që variant i COVID-it po ndërron gati çdo muaj edhe pse për shembull sot e dimë që në SHBA gati e gjithë popullata e ka marr së paku nga një vaksinë ata vazhdojnë të frikësohen se në muajt në vijim të del apo rrezikohen nga ky varianti i ri që ka dal Delta i COVID-it”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë konfirmoi këtë javë dy raste të të prekurve me variantin delta të koronavirusit. I identifikuar fillimisht në Indi, në dhjetor të vitit 2020, varianti delta është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçohet si i tillë, meqë cilësohet simë ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.

Konfirmimi ndodhi në një periudhë rënieje të numrit të përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi.

Të premten Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë raportoi 17 raste të infektimit pas 1 mijë e 241 testeve dhe dy raste të vdekjes nga pasojat e koronavirusit.

Deri të premten janë dhënë 196 mijë e 829 doza të vaksinës.

Kosova deri tash ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës është zotuar që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë./VOA

Shtuar 2.07.2021 21:43