Prej faktit se sa i zakonshëm është depresioni, ai lehtë mund të neglizhohet ose të diagnostikohet gabimisht, gjë që është e dëmshme sepse kur nuk trajtohet, çrregullimi i humorit mund të jetë dobësues. Njerëzit mund të jetojnë një jetë normale me depresion nëse marrin ndihmën që u nevojitet, por mund të jetë e vështirë për shumë njerëz të pranojnë se kanë probleme të shëndetit mendor.
Depresioni manifestohet në mënyra të ndryshme, dhe ndërsa ju mund të jeni të njohur me disa nga simptomat e tij, ka disa shenja të zakonshme psikologjike për të cilat mund të mos jeni në dijeni. Sipas Dr. Rafael Euba, konsulent i shëndetit mendor nga Qendra e Psikiatrisë në Londër, duhet të keni parasysh shenjat e mëposhtme.
Humbja e interesit
Paaftësia për të shijuar gjërat që dikur ju jepnin kënaqësi, e kombinuar me humbjen e interesit për aktivitetet tuaja të zakonshme shoqërore, si për shembull të kaloni kohë me miqtë tuaj, është një nga shenjat më të rëndësishme që ju po mbylleni me veten. Ndërsa entuziazmoheni teorikisht për hobi ose ide të reja, përfundoni duke mos bërë asgjë dhe përfundimisht bëheni indiferentë.
Lodhje dhe pagjumësi
Pavarësisht nëse e kuptoni apo jo, pesha e mendimeve dhe shqetësimeve në mendjen tuaj mund të çojë në probleme me gjumin dhe pagjumësi, sepse nuk po pushoni mjaftueshëm. Gjithçka që dëshironi të bëni është vetëm të flini dhe të largoheni për pak kohë nga përgjegjësitë dhe bota, por në të njëjtën kohë nuk mund të relaksoheni dhe të qetësoheni për shkak të të gjitha mendimeve në kokën tuaj.
Reagime intensive
Ndërsa nga njëra anë përjetoni indiferencë për pothuajse çdo gjë, mund të zbuloni se reagimi juaj ndaj lajmeve negative ose diçkaje që ju prish orarin është shumë i fortë dhe mund të çojë në shpërthime zemërimi që as ju nuk e kishit menduar se mund t’i përballonit. Ndiheni sikur gjithçka ju zemëron dhe nuk mund ta kontrolloni më.
Pesimizmi
Megjithëse ndjenjat e mungesës së shpresës, nervozizmit dhe trishtimit janë pjesë e natyrës njerëzore dhe ne të gjithë mund t’i ndiejmë ato herë pas here, çelësi për t’i dalluar ato si një simptomë e një problemi më të thellë është të kuptojmë se kur ato vazhdojnë shumë më gjatë dhe shumë më intensivisht se zakonisht.