4 pozicione pune në Shqipëri ku gratë sfidojnë hapur burrat për pagën

Gjatë vitit pandemik, mes gjithë problematikave ekonomike në vend dhe gjithë botën, një ndryshim pozitiv është shfaqur në hendekun mes pagave përsa i përket ndarjes burrë-grua, në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare për gratë në 2020-ën, pati një rritje prej 4.6% në raport me vitin e kaluar duke arritur në 51700 lekë. Ndërkohë, paga mesatare e burrave ka shënuar një rritje prej vetëm 0.7% – 55300 lekë.

Në 2019-ën, gratë paguheshin 10.1% më pak se burrat, ndërsa gjatë 2020-ës ky numër shkoi në 6.6%.

Ku paguhen më shumë gratë?

Sipas Monitor, nga 36 grup-profesionesh që raporton Instituti i Statistikave, vetëm në 4 prej tyre gratë paguhen më shumë:

– Drejtues administrativë dhe komercialë

– Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë

– Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes

– Punëtorë të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive

Gjatë kësaj periudhe, si për gratë ashtu edhe burrat disa nga industritë ku janë vënë re rritje të dukshme të pagës janë teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe sektori i shëndetësisë. Diferenca më e lartë në paga mes burrave dhe grave është në sektorin e industrisë (27%) dhe atë të shëndetësisë (20%). /Monitor/

Shtuar 25.05.2021 01:05