Eliminimi i Behar Sofisë, dalin para gjykatës katër të arrestuarit

Ditën e sotme do të dalin para gjykatës katër të arrestuarit për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçari Behar Sofia.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg për katër të arrestuarit Enejt Shyti, Skënder Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha.

Seanca do të nisë në orën 10:30. Ndërkohë familja e Enejt Shytit, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit është marrë në mbrojtje.

Kjo për faktin se Shyti u bë i penduari i drejtësisë dhe zbërtheu emrat e grupit duke bërë të mundur prangosjen e tre të tjerëve: Skënder Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha.

Grupi prej katër personash u vu në pranga 18 ditë pas krimit të ndodhur më 25 shkurt të këtij viti pranë Piramidës në Tiranë. Fillimisht u vu në pranga Enejt Shyti, ekzekutori që ishte arratisur drejt Malit të Zi pas krimit të kryer.

Shyti pranoi autorësinë e krimit dhe zbuloi se ka marrë porosi për vrasjen nga Skënder Vathi kundrejt një shume prej 50 mijë euro. Të arrestuarit e tjerë janë Xhuljano Visha dhe Leonard Xhixha. Ky i fundit ka qenë personi që ka gjetur ndërmjetësin Visha, i cili më pas kontaktoi ekzekutorin.

Vetë Shyti është shprehur se nuk kishte prekur kurrë armë me dorë më parë dhe se e kishte kryer krimin për paratë e premtuara./albeu.com


Shtuar 15.03.2021 10:38