Pas ngjarjes së një dite më parë ku në komisariatin e policisë së Kavajës u gjet i vdekur 31-vjeçari Ilvi Meta, deputeti demokrat Dashnor Sula bëri një deklaratë të fortë ku tha se i riu në paraburgim u vra nga policët, nuk u vetëvar.
Kjo deklaratë e tij bëri bujë në media, ndërsa ai ka reaguar sërish për emisionin “Në shënjestër” duke sqaruar pse besonte se ai ishte vrarë nga policët e komisariatit.
“Unë nuk mund të tregoj burimin, por duke qenë në detyrën e deputetit pata një telefonatë nga një person brenda policisë. Ngjarja i ka mbetur në dorë policisë. Kjo ngjalli irritim. Detyra jonë si politikan dhe opozitë është të vendosim alarmin dhe të dalë e vërteta ashtu sic është. Segmente të caktuara kanë dashur të mbulojnë ngjarje të tilla, siç është rasti i Klodian Rashës. Nuk ka asgjë më shumë. Nuk ka akuza të drejtpërdrejta për persona të caktuar. Është e rëndësishme të hetohet, të dalë e vërteta. Kjo është e rëndësishme. Kam pyetur edhe dy tre burime të tjera dhe japin indicie që është ushtruar dhunë ndaj viktimës. Mund të mos ketë ardhur vdekja nga ushtrimi i dhunës. Rastet që kanë ndodhur apo dinamikat e ngjarjes duhet të hetohen në detaje. Apeli është për të gjithë punonjësit e shtetit. Të hetohet me ndershmëri, pastërti dhe drejtësi. Të njëjtin apel kam edhe për Prokurorinë e Kavajës. Të dalë e vërteta ashtu siç është Nëse autopsia nxjerr që është ushtruar dhunë të gjithë personat që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi,” tha Sula./albeu.com