26 vite nga Ma*akra e Reçakut/ Begaj: Denoncimi i ngjarjes ndryshoi historinë e Kosovës

Këtë të mërkurë, presidenti i Republikës Bajram Begaj, përkujtoi ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, Presidenti Begaj, nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezituan gjenocidit serb për lirinë e Kosovës.

Njëkohësisht, kreu i Shtetit shprehu mirënjohje ndaj Amabsadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.

“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, shkruan Begaj në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.

Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj!
Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, shkruan Begaj.


Shtuar 15.01.2025 10:46