145 aktivistë të të drejtave të njeriut janë vrarë gjatë vitit 2021 në Kolumbi

Të paktën 145 mbrojtës të të drejtave të njeriut u vranë në Kolumbi në vitin 2021, një rënie në krahasim me vitin e kaluar, por që konfirmon rigjallërimin e dhunës në vend që nga marrëveshja e paqes e vitit 2016, sipas zyrës së Mbrojtësi i Popullit.

“Në vitin 2021 janë regjistruar 145 vrasje të liderëve socialë apo mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, tha në një deklaratë për shtyp organi publik që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në vend.

Në vitin 2020 janë regjistruar 182 vrasje.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes me guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) në 2016, vrasjet e aktivistëve socialë kanë qenë të përsëritura. Organizatat sociale akuzojnë disidentët e Farc-ut, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) – guerrilja e fundit aktive në Kolumbi – trafikantët e drogës dhe grupet paraushtarake se qëndrojnë pas vrasjeve.

Tre departamente janë veçanërisht të prekura: Antioquia, Cauca dhe Valle del Cauca, korridoret e trafikut të drogës.

Kolumbia është një nga vendet më të rrezikshme në botë për aktivistët, sipas disa OJQ-ve. Global Witness e identifikoi atë si më vdekjeprurësin për mbrojtësit e mjedisit (65 vdekje në 2020). Qeveria e presidentit konservator Ivan Duque akuzon bandat e drogës si autorë të vrasjeve. Kolumbia, prodhuesi më i madh i kokainës në botë, po përjeton kulmin më të keq të dhunës që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes në vitin 2016./albeu.com

 

Shtuar 18.01.2022 09:47