“1 në 3 tenderë, pa garë”, Tabaku: E konfirmon Gjykata Europiane e Auditit

Pas deklaratave të kryeministrit , Edi Rama, i cili në një konferencë për mediat me ministrat prezantoi paketën e re të prokurimeve publike si dhe tha se 70% e tenderave kanë probleme në përcaktimin e kritereve ka reaguar, Partia Demokratike.

Në një dalje për mediat nga selia blu Tabaku tha se pas 8 vitesh në pushtet, sot Rama më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion por, sipas saj kreu i qeverisë fajin e hedh diku tjetër.

“Pas 8 vitesh në pushtet, sot Rama më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. Por, si zakonisht ai fshihet pas përgjegjësive për kthimin e Shqipërisë në një shtet të kapur nga korrupsioni dhe fajin e hedh diku tjetër. Kjo është loja e tij e vjetër, kostot e të cilës po i paguajnë sot qytetarët, familjet dhe bizneset shqiptare. Por sot nuk ka shqiptar që të besojë se vendi është zhytur në korrupsion pa dijeninë dhe përgjegjësinë e Edi Ramës.

Sot nuk ka shqiptar që të besojë se shkallmimi dhe vjedhja e buxhetit të shtetit, e miliona eurove në buxhet, ndodh pa dijeninë dhe përgjegjësinë e Edi Ramës.

Nuk është faji i 30 specialistëve në ministritë e linjës, që sistemi i korrupsionit është kapilar, nga nivelet më të larta, në ato më të ulëta, por është faji i modelit dhe i sistemit që ka keq qeverisur Edi Rama. Nuk është çështje ligji, nuk është çështje teknike, nuk është çështje kriteresh të ligjit, por është çështje e vullnetit politik”, tha Tabaku.

Më tej Tabaku vijon deklaratën duke thënë:

– 1 në 3 tendera jepen pa garë dhe ky është fakt është denoncuar nga PD që nga viti 2015 dhe njëkohësisht është provuar edhe në vitin 2018 nga Gjykata Europiane e Auditit.

– Të gjitha tenderat e rindërtimit që Rama sot i vëzhgon duke u krenuar janë dhënë pa garë, janë dhënë në limitet e fondit, me 99% të vlerës.

– Gjatë pandemisë janë dhënë tendera pa garë, tendera sekretë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë kanë qenë kampionë. Me kompani që nuk kishin asnjë lidhje me fushën për të cilën ata jepnin shërbimin apo produktet.

– Ligjet speciale, janë kthyer në rregull tashmë. 7 të tilla të përmendura me emër nga opozita dhe vërtetuar nga “Transparency International”, janë votuar nga Rama dhe mazhoranca si dhe janë mbrojtur publikisht nga ai.

– Ligji Fusha për teatrin kombëtar që u shoqërua me kalimin antikushtetues dhe prishjen antikushtetuese të godinës së Teatrit është mbrojtur nga Rama dhe i ka dalë vetë për zot, Rama.

– Mbi 2 miliard euro koncesione të dhëna nga qeveria Rama me ofertë të pakërkuar, pa garë, kompanive të preferuara prej tij.

– Toka sot në bregdet jepen me 1 euro me VKM. Ndërkohë që pronarët sorollaten me vite për të marrë një vendim për kthim dhe kompensim të pronave.

– 7.2 miliard euro dëm ekonomik ka vërtetuar KLSH, që ka ndodhur në 8 vitet e fundit.

– Dhe afera më e fundit e inceneratorëve që akoma marrin para nga taksat e qytetarëve shqiptarë, janë mbrojtur publikisht dhe personalisht nga Rama. Miliona euro që shkojnë për një projekt mafioz, me procedura dhe afate që me dijeninë e tij dhe ministrave të tij janë shkelur me të dyja këmbët. Në të gjitha këto raste, Rama i ka dalë për zot. Rama e ka mbrojtur korrupsionin, i ka dalë për zot këtyre projekteve duke goditur drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe xhepat e familjeve shqiptare.


Shtuar 13.07.2021 16:12