Një ditë para zgjedhjeve dhe në një ditë ku administrata është pushim, Hipoteka në Sarandë po jep leje legalizimi nën dorë dhe certifikata.
Ky denoncim është bërë nga kandidati i LSI, Dhimitraq Lapa dhe shtabi elektoral i PD-së.
Në videon e faxweb shihen eksponentët e opozitës që bisedojnë me punonjësit të cilët pyeten pse janë në punë sot, që përveçse është ditë pushimi, është dhe heshtje zgjedhore.
“Si opozitë e bashkuar denoncojmë këtë krim që ka ndodhur ditën e sotme. Sot është heshtje elektorale dhe ASHK është vënë në dispozicion të pushtetit duke shpërndarë certifikata dhe leje legalizimi. Këto fakte do ti denoncojmë në KQZ dhe në organet përkatëse “, tha Lapa për mediat.
Gjithashtu një tjetër mbështetëse e PD-së u shpreh se kjo që po ndodh në Sarandë është aferë e pastër korruptive:
Sot qytetarët janë thirrur për të marrë certifikata për shtëpitë e tyre. Para disa ditësh shpërtheu skandali që do të jepen 100 mijë legalizimi dhe ja ku jemi sot teksa po shpërndahen leje legalizimi.
Jashtë kamerave vetë punonjësit na kanë thënë që jemi marrë me detyrim të jemi këtu dhe kemi foto dhe video që shihen qytetarë që hyjnë e dalin me certifikata në duar. U bëjmë thirrje organeve të ndalin këtë krim elektoral që po bëhet me shitblerjen e votës”. /albeu.com/