Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut kanë hyrë në ditën e katërt, ndërsa ekipet kanë zbuluar mbetje të tjera mortore gjatë kërkimeve për një varrezë të dyshuar masive nga lufta e fundit në Kosovë. Sipas burimeve të KosovaPress, zbulimi është bërë gjatë punimeve të së enjtes, ndërsa përcaktimi i identitetit të tyre do të jetë i mundur vetëm pas ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së.
Të lidhura
None found
Dyshimet e para lidhen me grupin e njohur si “intelektualët nga Mitrovica”, të zhdukur që prej 19 prillit 1999. Megjithatë, konfirmimi nëse mbetjet u përkasin atyre do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë zhvarrimi dhe procedurat mjeko-ligjore.
Gjatë ditës së djeshme, lokacioni ku po kryhen kërkimet është vizituar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe nga përfaqësues të institucioneve të vendit.
Isufaj ka deklaruar se mbetjet e zbuluara deri tani janë konfirmuar si me origjinë njerëzore. Ai ka sqaruar se identifikimi i mundshëm i personave do të kryhet përmes analizave të ADN-së.
Kryeprokurori ka theksuar se procesi kërkon kohë, kujdes dhe zbatim të standardeve profesionale mjeko-ligjore. Sipas tij, institucionet duhet të shmangin deklaratat e nxituara, pasi publikimi i të dhënave të pakonfirmuara mund të ndikojë në hetim.
Kërkimet nisën të martën dhe po realizohen nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente, nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale. Puna pritet të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, deri në mbylljen e të gjitha procedurave të nevojshme.
