Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim fajësues ndaj katër personave të përfshirë në rastin “Toka 2”, duke i dënuar në total me 32 vjet burgim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shpëlarjen e parave.
Të lidhura
None found
Vendimi, i shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, përcakton dënimin prej 10 vjetësh burgim për Mehmet Prishtinën, 8 vjetësh për Dukagjin Emërllahin, 8 vjetësh për Avni Maxhunin dhe 6 vjetësh për Nexharije Hotin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka përshëndetur aktgjykimin, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar.
Përmes një komunikate pas vendimit, Prokuroria Speciale deklaroi se e mirëpret aktgjykimin fajësues ndaj katër të akuzuarve, transmeton KosovaPress.
“Ky vendim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme institucionale për luftimin e krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Nexharije Hoti, ish-gjyqtare komunale në Prishtinë, akuzohej në kuadër të rastit “Toka 2” për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahi akuzoheshin se kishin ndihmuar në kryerjen e këtyre veprave penale, ndërsa Avni Maxhuni, bashkë me Emërllahin dhe Prishtinën, përballej edhe me akuzën për shpëlarje të parave.
