VOA: Mungesë gatishmërie për zhbllokimin e procesit të bisedimeve Kosovë–Serbi

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizmin e marrëdhnëieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Bashkimi Evropian pret komentet e palëve për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces.

Por analistë shqiptarë e serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, nuk kanë pritshmëri se brenda një periudhe të shkurtër mund të shënohet përparim në tejkalimin e dallimeve ndërmjet palëve.

“Nuk duhet të jemi shumë optimist dhe të presim ndryshime të mëdha pasi që edhe në verën e kaluar kishte diskutime pikërisht për planin e sekuencimit dhe zbatimit të marrëveshjes por se nuk prodhuan shumë rezultat sepse palët kanë dallime fundamentale. Serbia kërkon që Kosova fillimisht të zbatojë në plotni dakordimin e saj për themelimin e Asociacionit, ndërsa Kosova kërkon që të shkohet hap pas hapi ashtu që Kosova të bëj një hap për Asociacionin dhe Serbia një hap për njohjen de facto”, thotë Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike e Politike.

“Në këtë moment fatkeqësisht asnjëra palë nuk është e gatshme që të investojë energjinë në mënyrë përmbajtjesore për të arritur të paktën minimumin e konsensusit që kërkohet për zhbllokimin e procesit të dialogut. Të paktën të hidhen disa hapa më të vegjël dhe pastaj hap pas hapi të diskutohet për hapat e tjerë të rëndësishëm. Mendoj që kjo është pasojë jo vetëm e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe por edhe e një dëshire nga të dyja anët që të qëndrojnë në dialog por pa ndonjë përparim”, thotë Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV me seli në veri të Mitrovicës.

Gërgi thotë se ndryshimet në udhëheqjen e Bashkimit Evropian mund të sjellin një riformatim të procesit të bisedimeve.

“Unë nuk kam shumë shpresë se sa të vazhdojë mandati i Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak mund të ketë përparim. Dialogu siç është tani duhet të ketë një riformatim me emra të rinj dhe në këtë pikë jemi shumë me fat se tashmë zgjedhjet evropiane kanë përfunduar dhe Komisioni i ri është në formim e sipër. Ne tashmë e dimë se zonja Kaja Kallas kryeministre estoneze do të bëhet përfaqësuese e lartë dhe është lajm shumë i mirë sepse ajo vjen nga Estonia një shtet njohës, madje njohës entuziast i Kosovës”, thotë ai.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në vjeshtë duhet t’i lërë postin pasardhësit të tij, ndërkaq në fund të mandatit është edhe i dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak i cili është emëruar ambasador i bllokut në Zvicër, por gjatë vizitës së fundit në rajon tha se do të qëndrojë në postin aktual deri në muajin janar.

Miliçeviç thotë se në këtë periudhë është e rëndësishme që të paktën të krijohet një mjedis pune i përshtatshëm për pasardhësit e zyrtarëve evropian.

“Duhet të ketë një mjedis të qëndrueshëm për pasardhësit e zotit Borrell dhe zotit Lajçak për të vazhduar detyrat dhe që të paktën të kenë mundësinë të jenë më proaktiv në vend që të presin vetëm nga të dy palët që në njëfarë forme të luajnë me durimin e komunitetit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian në veçanti. Kur të kemi emrat e zyrtarëve të rinj evropian mund të ketë kërkesa që dialogu të ketë afate të qarta për procese zbatuese”, thotë ai.

Borrell ka theksuar së fundmi se përkundër ndryshimeve brenda strukturave të BE-së, detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen duke nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian e konsideron marrëveshjen e Ohrit ligjërisht të detyrueshme dhe në disa raste ka theksuar se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese./VOA


Shtuar 6.07.2024 21:31