Ndërsa më 16 shtator pritet të shpallet vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, EULEX-i ka njoftuar se po vlerëson në mënyrë të vazhdueshme masat operative të sigurisë në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në një përgjigje për Klankosova.tv, misioni evropian ka sqaruar se përgjegjësitë e tij të zakonshme përfshijnë edhe menaxhimin e sigurisë, ndërsa masat që ndërmerren ndryshojnë sipas zhvillimeve të situatës në terren.
EULEX-i ka bërë të ditur se, në kuadër të sistemit tre-nivelësh të reagimit ndaj sigurisë në Kosovë, bashkërendon veprimet me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in e udhëhequr nga NATO. Ky bashkëpunim mund të intensifikohet më 16 shtator, nëse rrethanat e kërkojnë.
Sipas misionit, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it është e gatshme të angazhohet si niveli i dytë i reagimit ndaj sigurisë, në rast se kërkohet dhe kur një veprim i tillë vlerësohet i nevojshëm.
“Në kuadër të mekanizmit tre-nivelësh të reagimit ndaj sigurisë në Kosovë, EULEX-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj sigurisë. Nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it është e gatshme të veprojë si reagim i dytë ndaj sigurisë, për të ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e rendit dhe sigurisë publike”, ka deklaruar EULEX-i.
Para datës 16 shtator, misioni u ka bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi, duke theksuar se siguria dhe mbrojtja e komuniteteve në Kosovë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së tij.
“Mesazhi që dëshirojmë t’u përcjellim të gjitha komuniteteve në Kosovë është se siguria dhe mbrojtja e tyre janë përparësitë tona të para”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
