Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar mosvlerësues qasjen e Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës në procesin e integrimit në BE.
Në një intervistë për ‘Politico’, Osmani është shprehur skeptike përsa i përket afrimit të Kosovës në BE duke thënë se rruga është e bllokuar prej tyre.
Ajo vendos theksin tek vlerat e larta evropiane të qytetarëve të Kosovës si dhe rendit një sërë reformash apo përparësish në fusha të ndryshme si përshembull, arsim, ekonomi apo dhe në aspektin e sundimit të ligjit.
“Nuk e ndiejmë që kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, është parë ose është vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97% e njerëzve të Kosovës janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka e së ardhmes. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, tha Osmani.
Presidentja ka theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si barrë nga Bashkimi Evropian, por si domosdoshmëri strategjike.
Siç ka thënë ajo, Ballkani Perëndimor i paqëndrueshëm dhe i pasigurt, do të thotë një Evropë e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllok më 15 dhjetor 2022 dhe nga atëherë aplikimi ka mbetur i pashqyrtuar.
