Vjosa Osmani e hapur për zgjedhje të reja në komunat në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.

Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.

Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.

Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse votuesit serbë do të nisin peticion.

Pas rritjes së tensioneve në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

Osmani ka thënë se dëshiron që trupat paqeruajtëse të qëndrojnë në Kosovë, derisa ky vend të pranohet në NATO.